Qëndresa Qytetare dhe BIRN Albania u ndalën në Durrës, në ambientet e CSDC Durrës, ku zhvilluan një bashkëbisedim me aktivistë, pedagogë, përfaqësues të medias dhe studentë.
Takimi shërbeu si një hapësirë diskutimi dhe shkëmbimi përvojash mbi monitorimin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, sfidat e evidentuara gjatë procesit zgjedhor dhe nevojën për forcimin e standardeve demokratike në vend.
Viola Keta nga BIRN Albania ndau raste konkrete mbi përdorimin e inteligjencës artificiale gjatë fushatës zgjedhore, përhapjen e teorive konspirative dhe ndikimin që disinformimi sjell tek qytetarët dhe vendimmarrja publike. Ndërsa Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare solli në vëmendje praktika të keqpërdorimit të burimeve publike dhe pasojat që këto fenomene kanë mbi barazinë në garë.
Diskutimet u ndalën gjithashtu te rëndësia e edukimit demokratik qytetar, rritja e kulturës së pjesëmarrjes dhe ndërgjegjësimit politik, si edhe nevoja për përmirësimin e sistemit zgjedhor me qëllim rritjen e cilësisë së përfaqësimit qytetar në Parlament dhe në qeverisjen vendore. Takimi nxiti reflektim mbi përgjegjësinë e institucioneve, medias, akademisë dhe qytetarëve për të ndërtuar procese zgjedhore më të ndershme dhe më përfaqësuese.
