Qëndresa Qytetare është një organizatë që ka në qendër fuqizimin e qytetarëve dhe përmirësimin e qeverisjes përmes angazhimit dhe aktivizmit qytetar. Duke parë mungesën e shërbimeve bazë për studentët në universitetet publike, braktisjen e studimeve, ankesat e shumta të tyre dhe barrën e tarifave universitare, organizata ka kthyer në një praktikë të mirë monitorimin e financave të universiteteve publike. Që prej vitit akademik 2017–2018, Qëndresa Qytetare realizon çdo vit monitorimin e shpenzimeve financiare të universiteteve publike, duke ofruar transparencë dhe llogaridhënie për mënyrën si përdoren fondet e arsimit të lartë. Ky raport monitorimi ka një vlerë të shtuar pasi rezultatet e tij nuk shërbejnë vetëm për studentët, pedagogët, drejtuesit akademikë apo administrativë, por edhe për institucionet shtetërore si qeveria apo Kontrolli i Lartë i Shtetit në kuadër të auditimeve të tyre. Po ashtu, këto të dhëna përbëjnë një burim me rëndësi për ekspertë e studiues që janë të interesuar të analizojnë dhe vlerësojnë mënyrën se si menaxhohen universitetet publike në vend. Në kuadër të zbatimit të ligjit nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, si dhe ndryshimeve të rëndësishme që këto institucione kanë pësuar në fushën e menaxhimit financiar dhe administrativ, Qëndresa Qytetare ndërmori monitorimin e tetë universiteteve publike në vend. Ky proces kishte në qendër analizimin e mënyrës se si këto universitete menaxhojnë investimet dhe buxhetet e tyre, duke e lidhur këtë me nivelin e transparencës që ato tregojnë përballë publikut dhe studentëve. Qëllimi kryesor i monitorimit ishte të evidentonte praktikat pozitive, boshllëqet dhe sfidat në administrimin e fondeve, duke kontribuar në rritjen e llogaridhënies dhe në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve që universitetet publike ofrojnë. Periudha e mbuluar nga ky studim ishte 1 shtator 2024 – 31 gusht 2025, duke ofruar një pasqyrë të plotë mbi menaxhimin financiar të një viti të plotë akademik. Kjo nismë synon gjithashtu të adresojë problematikat që lidhen me integritetin, legjitimitetin dhe efektivitetin e Bordeve të Administrimit, si dhe me marrëdhënien që ato kanë krijuar me drejtuesit akademikë, pedagogët dhe studentët. Një aspekt i rëndësishëm i monitorimit është edhe niveli i komunikimit dhe bashkëpunimit të këtyre strukturave me aktorët që përbëjnë jetën universitare.
