Qëndresa Qytetare është një organizatë e fokusuar tek fuqizimi i rolit të qytetarit në shoqëri dhe synon përmirësimin e qeverisjes nëpërmjet angazhimit dhe aktivizmit qytetar. Nisur nga mungesa e shërbimeve ndaj studentëve në universitetet publike, ankesat e shumta prej tyre dhe tarifat që aplikojnë universitetet, Qëndresa Qytetare tashmë e ka shndërruar në praktikë të mirë monitorimin e shpenzimeve financiare të universiteteve publike cdo vit akademik prej vitit 2017 – 2018.
Vlera e këtij monitorimi konsiston jo vetëm në përdorimin e të dhënave nga studentë, pedagogë, drejtues akademikë apo administrativë, vetë qeveria apo KLSH në kuadër të auditimeve, por edhe ekspertë që kanë interes të studiojnë menaxhimin e universiteteve publike.
Në kuadër të zbatimit të ligjit 80/2015 për arsimin e lartë dhe ndryshimeve që institucionet e arsimit të lartë pësuan sa i takon menaxhimit financiar dhe administrimit, Qëndresa Qytetare monitoroi shtatë universitete publike me fokus investimet dhe nivelin e transparencës së tyre në raport me publikun dhe studentët për periudhën 1 shtator 2022 – 31 gusht 2023.
Ky monitorim shërben për të hedhur dritë mbi mënyrën se si janë shpenzuar të ardhurat që grumbullohen nga tarifat e studentëve dhe të ardhurat që vijnë nga buxheti i shtetit duke u munduar për ti dhënë një përgjigje pyetjes nëse reflektohen nevojat reale të studentëve apo kemi të bëjmë më një administrim jo efektiv të buxhetit vjetor te universiteteve?
Gjithashtu kjo nismë adreson problematikën e integritetit, legjitimitetit dhe efektivitetit të Bordeve të Adminsitrimit, marrëdhënies që ata kanë krijuar me drejtuesit akademikë, pedagogët, studentët dhe nivelin e komunikimit me këto kategori që popullojnë universitetin. A shkojnë paratë e studentëve tek studentët? A i plotësojnë universitetet publike nevojat financiare të stafeve akademike? Këto dhe shumë pyetje të tjera do të përpiqemi t’u japim përgjigje nëpërmjet analizimit të të dhënave të përfituara nga monitorimi i 7 universiteteve publike.
Qëndresa Qytetare përmes këtij monitorimi synon të nxisë llogaridhënien publike të universiteteve ndaj studentëve dhe të stimulojë një nivel më të lartë transparence, nëpërmejt pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të tyre në vendimmarrje.