Aktorë të shoqërisë civile, përfaqësues të institucioneve të pavarura dhe aktivistë ngritën shqetësimin të enjten se qeveria e kryeministrit Edi Rama dhe Komitetin Teknik të Ekspertëve të Shëndetësisë për masat kundër COVID-19, po përdor standarde të dyfishta – pasi ka ndaluar protestat e qytetarëve ndërsa lejon tubimet e partive politike.
“Na mungon si ajri e drejta për t’u bashkuar e për të biseduar në mënyrë kolektive,” tha Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca gjatë një forumi të organizuar nga organizata Qëndresa Qytetare.
“Kufizimi absolut është heshtje e zërit “kundra” apo “ndryshe”,” theksoi Ballanca.
Që prej përhapjes së pandemisë dhe masave kufizuese të marra në muajin mars, ministria e Shëndetësisë – me vendimin e Komisionit Teknik të Ekspertëve, miratoi urdhrin nr. 351, për “parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, sipas të cilit u ndaluan grumbullimet masive në vende të mbyllura apo të hapura, konferencat, tubimet, ceremonitë martesore apo mortore.
Që prej këtij urdhëri, policia shqiptare ka ndërhyrë duke shpërndarë me dhjetëra protesta të qytetarëve gjatë muajve të fundit dhe jo në pak raste duke arrestuar pjesëmarrësit e këtyre grupimeve.
E pyetur se përse bëhej diferencim ndërmjet ndalimit të protestave të qytetarëve dhe lejimit të marshimeve apo aktiviteteve politike të figurave publike, zv.Ministrja e Shëndetësisë dhe njëkohësisht kryetare e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli u shpreh se nëpër protesta qytetarët bërtasin dhe përhapen më shumë aerosolë në ajër, ndërsa në mbledhje apo tubime politike një gjë e tillë nuk ndodh.
“Nëse nuk kemi shëndet nuk mund të ushtrojmë asnjë të drejtë tjetër kushtetuese,” tha Rakacolli, duke shpjeguar botëkuptimin e saj mbi liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.
“Në protestë nuk mund të ruhet distanca apo qetësia, pra është e pamundur që të ruhemi totalisht në çdo moment, pasi protestuesit bërtasin apo afrohen me njëri-tjetrin,” shtoi ajo.
Në protokollet e sigurisë të shpallura nga Komiteti i Ekspertëve nuk përcaktohet se çfarë quhet grumbullim masiv, prej sa vetash përbëhet ai dhe i shtrirë në çfarë sipërfaqe. Sipas Avokates së Popullit, paqartësia e udhëzimit ka sjellë subjektivizëm në zbatimin e tij nga Policia e Shtetit.
“Ne akoma nuk kemi të përcaktuar nga komiteti teknik i ekspertëve se çfarë quhet një grumbullim masiv, ndërkohë që policia zbaton në mënyrë nihiliste urdhrin për kufizimin e grumbullimeve”, u shpreh avokatja Ballanca.
Ajo vuri në pah shqetësimin se Policia e Shtetit ndërhynte në çdo grumbullim, qoftë ai edhe paqësor apo me fare pak pjesëmarrës në kushte të mbajtjes së distancës dhe maskave mbrojtëse ndaj COVID-19.
Edhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda theksoi se pas shpërthimit të pandemisë ka pasur një deficit arsyeshmërie si edhe çalim në zbatueshmërinë e urdhrit të ndalimit të tubimeve, i cili nuk zbatohet në mënyrë të njëtrajtshme.
“Në këtë mënyrë ulet besimi i qytetarëve tek vendimet e Komitetit Teknik, pasi ata krijojnë bindjen se protestat po ndalen sepse nuk pranohen kritikat,” tha Gajda.
Migen Qirjaxhi, përfaqësues i organizatës Qëndresa Qytetare theksoi se në Shqipëri ka dy realitete për sa i përket të drejtës për t’u shprehur dhe për t’u organizuar, gjë e cila krijon mosbesim tek qytetarët.
“Protokollet e qejfit aprovohen, ndërsa protokollet e nevojës për t’u shprehur jo,” ironizoi Qirjaxhi, në lidhje me standardet e dyfishta që po përdor qeveria për të lejuar aktivitete të ndryshme të organizohen ndërsa disa të tjera jo.