Zgjedhjet në Universitete, Qëndresa dhe studentët i drejtohen Komisionit Parlamentar të Arsimit: Kërkojmë të thërrisni në seancë dëgjimore Ministren Besa Shahini
QQ: Urdhri i Ministres pengon mbi 60% të studentëve të zgjidhen dhe të zgjedhin
QQ: Cdo lloj zgjedhje pa studentët, të pavlefshme sipas rregullores së Universiteteve
Ditën e sotme përfaqësuesit e Qëndresës Qytetare dhe studentë i janë drejtuar me kërkesë zyrtare Komisionit Parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Komunikimit Publik për të thirrur në seancë dëgjimore Ministren e Arsimit Besa Shahini për cështjen e zgjedhjeve në Universitete.
Kjo kërkesë vjen për të ngritur shqetësimin e zhvillimit të zgjedhjeve pa praninë e studentëve ku sipas ligjit 80/2015 për arsimin e lartë nenet 39 – 42 thuhet se rektorët dhe dekanët zgjidhen nga votat e studentëve. Në këto kushte kur Ministrja ka urdhëruar kthimin në auditor të mbi 60% të studentëve në muajin gusht, ata nuk do mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur.
Gjithashtu referuar masave të marra nga qeveria, nuk mund të garantohet zbatimi i rregullores së zgjedhjeve për të organizuar aktivitete apo takime me qëllim shpalosjen e platformave të kandidatëve.
Situata e krijuar në Universitetin e Tiranës, vendim i dalë në 30 qershor nga KIZ për regjistrimin e kandidatëve është nxjerrë në kundërshtim me nenin 5 të rregullores, pra pa u shpallur zgjedhjet nga rektori dhe është nxjerrë nga nja organ të cilit i ka mbaruar mandati. Nga ana tjetër rregullorja e zgjedhjeve në këtë universitet parashikon që në rastet e fatkeqësisë natyrore për shkak të së cilës pengohen zgjedhësit të marrin pjesë, zgjedhjet shpallen të pavlefshme.
Në këto kushte, kur zhvillimi i zgjedhjeve në Universitete, gjatë kohës së pandemisë përbën një pengesë reale në realizimin e së drejtës së studentëve për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur kërkojmë thirrjen e një séance dëgjimore në Komisionin Parlamentar për cështjet e arsimit me Ministren, përfaqësuesit e Qëndresës Qytetare dhe studentët.
Kliko ketu per dekumentin e plote