Protesta e dhjetorit 2018 ishte shfaqja më masive e revoltës studentore në historinë e tranzicionit. Kjo protestë arriti që në mungesë të drejtimit apo orientimit nga ndonjë subjekt politik apo shoqëror, t’i paraqesë qartë dhe t’i imponohet qeverisë me 8 kërkesa që lidheshin me reduktimin e tarifave, transparencën e shpenzimeve, përfaqësimin studentor, performancën në mësimdhënie dhe vetingun e titujve akademikë.
Si rezultat i masivitetit, qëndrueshmërisë dhe kërkesave të drejta, studentët iu imponuan qeverisë dhe kryeministrit duke i detyruar të publikojnë “Paktin për Universitetin”1, të shkarkojë nga detyra Ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë znj.Lindita Nikolla, si dhe të shkarkojë defakto të gjithë përfaqësuesit e Ministrisë në Bordet e Administrimit në universitetet publike në vend. “Paktin për Universitetin”, kjo paketë premtimesh dhe masash u shpall nga kryeministri në 19 Dhjetor 2018 në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë dhe më pas u konkretizua në 11 VKM dhe 4 Urdhëra të Kryeministrit në 26 dhjetor 2018, akte të cilat synuan të adresonin një pjesë të 8 kërkesave të formuluara dhe kërkuara nga studentët gjatë protestës.
Qëndresa Qytetare nëpërmjet nismës “Arsimi në Fokus” me mbështetjen e Qendrës Olof Palme, ka nisur monitorimin e implementimit të “Paktit për Universitetin” duke përfshirë çdo akt, afat, vendim apo iniciativë të adresuar në këtë dokument politikash.
Qëllimi i këtij monitorimi është nxitja e llogaridhënies dhe transparencës së zbatimit të masave të ndërmarra nga qeveria në kuadër të paktit dhe maksimizimi i përfitimeve ligjore të studentëve nëpërmjet fuqizimit edhe përfshirjes së tyre në këtë proces. Monitorimi synon gjithashtu të ushtrojë presionin e nevojshëm ndaj qeverisë për të implementuar në kohë dhe me cilësi premtimet e bëra në Paktin për Universitetin.
Njëkohësisht kjo nismë synon të ndërgjegjësojë palët e interesuara (studentë, pedagogë, OJF dhe aktivistë të shoqërisë civile), të veprojnë për të përfituar maksimumin nga “Pakti për Universitetin”, për studentët me qëllim final përmirësimin e cilësisë arsimore dhe jetës studentore.
Për të marrë më shumë informacion klikoni raportet më poshtë:
RAPORTI NË SHQIP
RAPORTI NË ANGLISHT