Artan Fuga: Koha për një model të ri universiteti që bazohet tek liria dhe e drejta individuale e studentit.
Në datë 13 nëntor, 2018, në ambientet Universitetit “Aleksandër Moisiu” “Qëndresë Qytetare” organizoi një bashkëbisedim me studentë për të rritur ndërgjegjësimin, nxitur aktivizmin dhe inkurajuar ata në denoncimin e korrupsionit negative në Arsimin e Lartë. I ftuar special i aktivitetit ishte Prof. Dr. Artan Fuga, akademik, një model i shkëlqyer i reagimit qytetar dhe kontributor i madh në fushën e komunikimit publik.
Në fjalën e mirëseardhjes, Rektorja e Universitetit, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, falenderoi të ftuarit për praninë dhe vlerësoi shembullin e mirë dhe integritetin e tyre tyre në ngritjen e shqetësimeve të studentëve. Ajo ftoi studentët të dëgjojnë dhe më pas të ngrenë zërin për fenomenet që i shqetësojnë. “Ju falenderoj që keni ndjeshmërinë për të ndjekur aktivitete të tilla. Ju ftoj të dëgjoni me vëmendje dhe të rrëfeni problematikat që vëreni u shpreh ndër të tjera znj. Rektore.
Drejtori ekzekutiv Rigels Xhemollari, u ndal në filozofinë e Qëndresës për fuqizimin e rolit të qytetarit në shoqëri si udha e vetme për të përmirësuar qeverisjen dhe demokracinë. “Forcimin e qytetetarit në shoqëri e kemi nisur me studentët. Arsimimi juaj ndikon direkt në mirëqeverisje dhe forcimi i studentit nis nga pozicioni i tij në universitet”, theksoi z. Xhemollari.
Gajtë këtij aktiviteti u preanztua platforma openuniversity.al, e cila dëshmon vazhdimin e betejës për transparencë në arsimin e lartë dhe ndihmon studentët të informohen për një sërë çështjesh me rëndësi për ta.
Znj. Jonida Smaja, koordinatore e projekteve në Friedrich Ebert Stiftung (FES), në fjalën e saj ndau përshtypjet mbi nismat e deritanishme në funksion të një universiteti më transparent. “Dëshiroj të falenderoj Universitetin për mikpritjen. Më vjen mirë që UAMD-ja, Qëndresa dhe ne si FES, kemi vizionin e përbashkët për pastrimin e arsimit të lartë nga fenomenet negative”, deklaroi ajo.
Ndërsa Prof. Dr. Artan Fuga u shpreh se vinte në UAMD me dëshirën më të madhe dhe i mëshoi fort faktit se “dija është modeli shpirtëror që trupa akademike duhet të hapë dhe se universiteti nuk rregullohet dot me policë, por me dashurinë e ndërsjellë pedagog-student”.
“Rrënjët e problemeve negative në Universitete janë të thella. Ato më së pari duhen parë në organizimin e departamenteve dhe fakulteteve tona”, nënvizoi ai. Për Profesorin, “Shqipëria ndodhet në një moment delikat pasi për herë të parë shoqëria rrezikon të ngrejë në piedestal antivlerën dhe të mbajë pa zë dhe pa të drejta vlerat”.
“Sot kemi më shumë se kurrë nevojë për një model të ri Universiteti. Studenti në aula duhet të ketë të drejta, jo vetëm detyrime. Këtë duhet ta gëzojë si individ dhe jo vetëm nëpërmjet Këshillave Studentore. Të rinjtë tanë duhet të kenë më shumë mundësi zgjedhjeje në Universitete, dhe mundësisht të mbruhen me vlera nga të gjitha trevat”, përfundoi ai.
Në fund të aktivitetit, pedagogë e studentë, diskutuan mbi marrjen e përgjegjësive të përbashkëta dhe mënyrat e përfshirjes së studentëve në vendimmarrje në çështjet që prekin interesat e tyre. Kjo do të bënte të mundur që idetë e çdo studenti të kontribuonin në formimin e vizionit kolektiv se si Universiteti duhet të jetë dhe çfarë mund të bëjmë të gjithë së toku për të arritur atë të mundur.