Qëndresa Qytetare dhe BIRN Albania u ndalën në Shkodër, në ambientet e Qendra Arka, ku zhvilluan një bashkëbisedim me aktivistë politikë, përfaqësues të medias, zyrtarë vendorë dhe përfaqësues të komunitetit në Këshillin Bashkiak.
Takimi shërbeu si një hapësirë reflektimi dhe shkëmbimi përvojash mbi monitorimin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, sfidat e evidentuara gjatë procesit dhe nevojën për forcimin e standardeve demokratike në nivel vendor.
Violeta Keta nga BIRN Albania ndau raste konkrete mbi përdorimin e inteligjencës artificiale për krijimin dhe shpërndarjen e përmbajtjeve manipuluese, si edhe mbi përhapjen e teorive konspirative gjatë fushatës zgjedhore. Ndërsa Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare solli në vëmendje praktika të keqpërdorimit të burimeve publike dhe ndikimin që këto fenomene kanë mbi barazinë në garë.
Diskutimet u përqendruan gjithashtu mbi rolin e medias lokale dhe kombëtare, sfidat me të cilat përballen gazetarët gjatë periudhave zgjedhore, si dhe rëndësinë e raportimit profesional dhe të pavarur. Bashkëbisedimi nxiti një reflektim të përbashkët mbi përgjegjësinë e institucioneve, medias, partive politike dhe qytetarëve për të garantuar procese zgjedhore më të ndershme, transparente dhe të besueshme.

