Organizatat
tona, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), Instituti i Studimeve Politike
(ISP) dhe Qëndresa Qytetare (QQ), me përvojë në monitorimin dhe adresimin e
rekomandimeve lidhur me çështjet dhe problematikat zgjedhore reagojnë
publikisht duke marrë parasysh se në dt.11 Janar 2025 fillojnë të shtrijnë
efektet ndalimet e legjislacionit zgjedhor për përdorimin e burimeve publike,
lidhur me zgjedhjet e ardhshme parlamentare të dt.11 Maj 2025.
Sipas Kodit Zgjedhor (neni 91, pika 4), katër muaj para
datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve ndalohet
propozimi, miratimi ose nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore, të cilat
parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të
tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes
ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive
fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve, etj., përveçse kur
nisma kushtëzohet nga gjendje të fatkeqësisë natyrore.
Organizatat tona
bëjnë thirrje për respektimin e një gare të ndershme dhe të barabartë midis
subjekteve zgjedhore, e cila cënohet nëse do të përsëriten problematikat e
konstatuara në zgjedhjet e kaluara lidhur me keqpërdorimin e burimeve
shtetërore, shitblerjen e votës dhe çdo formë presioni apo ndikimi të
papërshtatshëm që prek dinjitetin dhe deformon vullnetin e lirë dhe të pavarur
të zgjedhësit. Çdo njeri ka të drejtë të trajtohet me respekt dhe dinjitet, por në çdo rast duhet
respektuar standardi që kategoritë ose grupe sociale të mos bëhen objekt i keqpërdorimit
të të drejtave të tyre për qëllime elektorale.
Ne vërejmë se fushata zgjedhore ka filluar brenda dhe
jashtë vendit shumë herët, në cënim të parashikimeve të nenit 77 të Kodit
Zgjedhor, sipas të cilit ajo duhet të fillojë 30 ditë para datës së zgjedhjeve
dhe përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve.
- Pavarësisht se dispozitat e Kodit
Zgjedhor e shtrijnë efektin e tyre lidhur me financimin e subjekteve
zgjedhore dhe kontrollin e këtyre të fundit, me fushatën e ligjshme
zgjedhore (një muaj para zgjedhjeve), ne vlerësojmë se
transparenca dhe llogaridhënia ndaj publikut e partive politike është
tepër e rëndësishme në drejtim të garantimit të integritetit zgjedhor dhe
parandalimit të financimit të errët apo nga para jo të pastra të këtyre
partive. Për rrjedhojë ne kërkojmë transparencë dhe llogaridhënie publike
mbi financimin e aktiviteteve me natyrë elektorale për zgjedhjet e
ardhshme parlamentare, të cilat janë zhvilluar deri më tani si dhe
planifikohen të zhvillohen në vijimësi, brenda dhe jashtë vendit.
- Duke marrë shkas nga problematikat e
mëhershme, i rekomandojmë të gjitha institucioneve publike,
qendrore dhe vendore, si dhe agjencive dhe/ose ndërmarrjeve shtetërore, të
respektojnë detyrimet e parashikuara në nenin 92 të Kodit Zgjedhor dhe
aktet rregullatore të KQZ-së, duke raportuar pa vonesë dhe me vërtetësi
pranë kësaj të fundit të gjitha veprimtaritë me karakter publik që
planifikojnë të zhvillojnë në periudhën katër muaj para datës së
zgjedhjeve deri ditën e zgjedhjeve.
Ne vërejmë me shqetësim, nisur nga përvoja e zgjedhjeve të
kaluara se bashkëpunimi i nëpunësve të administratës publike drejtpërsëdrejti
me KQZ-në dhe prokurorinë është pothuajse i munguar në drejtim të denoncimit të
shkelësve të detyrimeve të legjislacionit zgjedhor dhe legjislacionit penal, të
cilët zgjedhin të shpërdorojnë në kundërshtim me legjislacionin burimin publik
për qëllime elektorale.
- Për rrjedhojë, nisur nga garancitë e
parashikuara në legjislacionin për mbrojtjen e sinjalizuesve por edhe në
Kodin e Procedurës Penale, i bëjmë thirrje çdo nënpunësi publik të
mbrojë integritetin e votës së tij/saj dhe familjarëve të tij/saj, duke
paraqitur edhe denoncime anonime nëse ndihet i pambrojtur për të denoncuar
me gjeneralitetet e tij dhe nëse disponon fakte të cilat mund të
verifikohen nga KQZ apo organi i prokurorisë. Vlen të theksohet se roli i
nëpunësve publikë në denoncimin e këtyre shkeljeve është i rëndësishëm dhe
i pazëvendësueshëm nga aktorët politikë.
Në zgjedhjet e kaluara, organizatat tona kanë vërejtur
raste kur hetimet administrative dhe veçanërisht ato penale për denoncimet
lidhur me ndalimin e përdorimit të burimeve publike janë zgjatur apo zvarritur
në kohë, çka dobëson besimin e qytetarëve në mekanizmat raportues dhe
rezultatin e pritur ndaj tyre.
- Ne bëjmë thirrje që hetimet jo vetëm të realizohen
në afate të arsyeshme, por njëkohësisht të jenë objektive, të gjithëanshme
dhe efektive, pasi ndihmojnë në parandalimin e posaçëm të autorëve të tyre
por edhe parandalimit të përgjithshëm të shkeljeve të ngjashme apo të
njëjta në të ardhmen.
Në fund, organizatat tona i rekomandojnë KQZ-së, si
organi më i lartë i administrimit zgjedhor dhe i pavarur që të përdorë të
gjitha burimet dhe instrumentet e mundshme njerëzore e ligjore, për të trajtuar
me prioritet shqetësimët si dhe indicjet publike që janë të verifikueshme, lidhur
me keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe jetësimin e standardeve që kërkon
Kodi Zgjedhor për mbrojtjen e tyre.
- Gjithashtu,
ne apelojmë partitë politike të nxisin dhe shfaqin vullnet politik dhe
akte transparente në raport me burimet shtetërore, si dhe në retorikë dhe
aktivitetin e tyre të të bëhen zbatuese dhe promovuese të praktikave të
mira që lidhen me votën, me zgjedhjet dhe me demokracinë përfaqësuese.
Shqipëria është
në fazë bisedimesh për anëtarësim në BE dhe në stadin e ri, të gjithë aktorët
institucionalë dhe politikë duhet të reflektojnë nga gabimet e të kaluarës dhe
të bëhen bartëse të vlerave mbi të cilat mbështetet Bashkimi Evropian.
Organizatat tona janë të angazhuara të përmbushin detyrimet si shoqëri civile,
duke qenë aktiv në monitorimin e të gjithë procesit, sensibilizimin për pjesëmarrje
dhe standarde zgjedhore, si dhe për artikulimin dhe adresimin e çdo
problematike që mund të shfaqet në secilën fazë të procesit.
Discussion about this post