Qëndresa Qytetare ka iniciuar një peticion për ndërtimin e një mense publike që i vjen në ndihmë lehtësimit të kostove të jetesës për studentët e qytetit të Shkodrës. Peticioni vjen si përgjigje ndaj kontekstit lokal të shprehur nëpërmjet të dhënave të INSTAT, të cilat tregojnë se 39.7% e shpenzimeve të banorëve të Shkodrës në vitin 2022 janë për ushqim, duke krijuar vështirësi të mëdha për shumë studentë të cilët përballen me kosto të papërballueshme për jetesën.
Aktualisht, kostoja vjetore e jetesës për një student në Shkodër arrin deri në 3600 euro, kryesisht për shkak të mungesës së mensave publike dhe mbështetjes sociale. Në peticion, Qëndresa Qytetare nënvizon se praktikat rajonale, duke përmendur këtu Kosovën, tregojnë se mensat publike janë një zgjidhje efektive, duke ofruar vakte me çmime të përballueshme dhe duke reduktuar ndjeshëm barrën financiare për studentët.
Qëndresa Qytetare propozon nëpërmjet kësaj iniciative ndërtimin e një mense publike pranë godinave të konvikteve në Shkodër, duke lehtësuar kështu kostot e ushqyerjes për studentët që zotërojnë kartën e studentit.
Për të realizuar këtë qëllim, Qëndresa Qytetare fton të gjithë studentët dhe qytetarët e Bashkisë Shkodër të bashkohen në firmosjen e këtij peticioni, duke kërkuar që qeverisja vendore të ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen e kësaj çështjeje jetike.
Firmos në linkun: https://qytetarin.com/peticion-ndertimin-e-nje-mense-publike-e-cila-te-ofroje-ushqim-me-kosto-te-reduktuar-per-cdo-student-te-universitetit-luigj-gurakuqi-shkoder/