Agjencia Europiane e Statistikave, Eurostat, ngre alarmin se mbi 46 % për qind e popullsisë në Shqipëri është e ekspozuar përballë varfërsisë.
Treguesit për Shqipërinë, sipas Eurostat, janë dukshëm më të larta krahasuar me vendet e tjera fqinje të Ballkanit Perëndimor ku Mali i Zi ka 34.1% të popullsisë në rrrezik varfërie, Maqedonia e Veriut 32.6%, Serbia 30%.
Këto shifra janë një këmbanë alarmi, teksa paralel shqiptarët janë populli që paguan më shumë në Evropë për sigurimin e ushqimit, karburantin dhe shpenzimet spitalore.
Qeveria shqiptare i ndërton rrugët dhe shkollat me kostot më të larta në Evropë, dhe korrupsioni është kthyer në një taksë të fshehtë që po varfëron shqiptarët masivish.
Lufta ndaj korrupsionit është e vetmja kurë që lufton varfërinë, fenomen që është në themel të eksodit biblik të shqiptarëve dekadën e fundit.
Qëndresa Qytetare i bën apel klasës politikë të reflektojë lidhur me këto raporte që e pikturojnë Shqipërinë me ngjyrat reale që propaganda kërkon ti sfumojë.
Pasuritë e këtij vendi nuk mund të kthehen në një mallkim për këtë vend, po ato duhet të menaxhohen dhe të shpërndahen në mënyrë të drejtë.