QQ kërkesë Komisioneres për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil për monitorimin e aktivitetit të nënpunësve civile në platformën Aktiv1st
E nderuar Znj. Strakosha,
Përmes kësaj letre dëshirojmë t’ju vendosim në dijeni se në muajin dhjetor 2022, Partia Socialiste e Shqipërisë, prezantoi një aplikacion të quajtur “Aktiv1st”, duke e konsideruar këtë aplikacion si “një platformë që i jep mundësi çdo personi që ka ide dhe dëshirë të jetë pjesëmarrës në gara lokale ose kombëtare, të çojë përpara nismat e tij dhe të jetë faktor aktiv në komunitet”. Ndryshe nga sa shprehet krijuesi dhe zotëruesi i aplikacionit Partia Socialiste e Shqipërisë, aplikacioni prezanton veprimtarinë në rrjetet sociale të përfaqësuesve të qeverisë dhe për çdo klikim të link-eve në Facebook apo Instagram të shpërblen me 5 pikë.[1]
Përpos shkeljeve që kemi vërejtur në lidhje me mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave personale, për të cilat, Qendra “Qëndresa Qytetare” ka depozituar një ankim pranë Komisionerit për Mbrojtjen e të Drejtës së Informimit dhe të Dhënave Personale, nga ana jonë është vërejtur se ky aplikacion po përdoret si mjet kontrolli dhe presioni ndaj nëpunësve civilë dhe punonjësve të administratës publike. Këta të fundit, sipas denoncimeve publike, por edhe konstatimeve të kryera nga ana jonë, detyrohen të regjistrohen dhe krijojnë llogari në aplikacionin “Aktiv1st”, dhe më pas, të pëlqejnë, komentojnë apo shpërndajnë aktivitetet e zyrtarëve të qeverisë [Prova nr. 1 – Screenshot-e të profileve të nëpunësve civilë, përdorues të aplikacionit].
Këto veprime të nëpunësve civilë, qofshin ata të nivelit të lartë, të mesëm apo të ulët drejtues, apo të kategorisë ekzekutiv, bien ndesh me detyrimet e përcaktuara në nenin 37, të ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”. Sipas fjalisë së dytë, të pikës 1, të nenit 37, të këtij ligji, nëpunësi civil nuk duhet të shprehë publikisht bindjet apo preferencat e tij. Shprehja publikisht e bindjeve apo preferencave politike mund të bëhet edhe përmjet rrjeteve sociale, të cilat vetë Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil në Udhëzimin e vitit 2023, i ka konsideruar si “sheshe virutale” këto platforma, pasi përmes tyre mund të bëhet e njëjta propagandë që mund të bëhet edhe fizikisht.
Duke ju referuar çështjes West Virginia State Board of Education v. Barnette, 319 U.S. 624 (1943), Gjykata Supreme e SHBA-së ka mbajtur qëndrimin se e drejta për lirinë e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë nënkupton që askush nuk mund të detyrohet të flasë apo të shprehet kundër vullnetit të tij të lirë.[2]
Pavarësisht parashikimeve ligjore, Udhëzimit të vitit 2023, ku vetë Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, ka çmuar se “duhet të përfshihet në rregulloren e brendshme të nxjerrë për këtë qëllim, edhe ndalimi i nëpunësit civil për të mos shprehur publikisht bindjet apo preferencat e tij politike, në rrjete, media on line apo platforma sociale, në zbatim nenit 37, të ligjit 152/2013, ‘Për nëpunësin civil’, i ndryshuar” dhe praktikave ndërkombëtare, sërish titullarët e institucioneve dhe nëpunësit civilë të kategorisë drejtuese janë duke ushtruar presion mbi nëpunësit civilë, në hierarki më të ulët, dhe mbi punonjësit e administratës publikë, duke cënuar kështu jo vetëm lirinë e shprehjes dhe mbarëvajtjen e shërbimit civil, por edhe integritetin e procesit të zgjedhjeve.
Prandaj për sa më sipër, mbështetur në nenin 14 dhe nenin 37, të ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, kërkojmë nga ana e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, kërkojmë verifikimin e zbatimit të detyrimeve ligjore në lidhje me shprehjen e bindjeve politike nga ana e nëpunësve civil dhe insitucioneve, si edhe marrjen e masave përkatëse, ndaj institucioneve dhe titullarëve, që jo vetëm shkelin këto ndalime ligjore, por edhe detyrojnë nëpunësit civilë të mosrespektojnë ligjin.
[1] Për më shumë shih: https://citizens-channel.com/2023/01/27/nje-ferme-klikimesh-aplikacioni-qe-shperblen-me-pike-pelqimin-dhe-shperndarjen-e-postimeve-te-partise-socialiste/, aksesuar online më 02.03.2023.
[2] West Virginia State Board of Education v. Barnette, 319 U.S. 624 (1943), para. 34.