Korrupsioni në Shqipëri mbetet një fenomen shqetësues dhe një tregues i impaktit të limituar që strategjitë, politikat dhe kuadri ligjor kanë pasur në adresimin e tij. Disa nga gjetjet e raportit të dhjetorit 2020 të Grupit të Shteteve të Këshillit të Evropës kundër Korrupsionit (GRECO) tregojnë që kuadri ligjor për parandalimin e korrupsionit të anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe këshilltarëve të tyre politikë, si dhe të policisë, dukshëm gjithëpërfshirës, mbetet kompleks. Në këtë kontekst GRECO ka bërë disa rekomandime dhe pritet që deri më 30 prill 2022 Shqipëria të dorëzojë një raport mbi masat e marra për zbatimin e këtyre rekomandimeve. Por si është situata aktuale e korrupsionit në Shqipëri? Transparency International (TI), Koalicioni Global kundër Korrupsionit nëpërmjet Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021 raportoi një rënie të Shqipërisë në listën e vendeve më të korruptuara. Shqipëria renditet 110 nga 180 vende, duke shënuar kështu një rënie prej 6 vendesh nga viti 2020. Me 35 nga 100 pikë të mundshme, në rang rajonal Shqipëria u tejkalua nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Krahasimisht me vendet europiane, Shqipëria është pothuajse 50% më poshtë mesatares së këtyre vendeve. Duke vënë në pah rritjen e autoritarizmit në vend, raporti thekson se kufizimi i të drejtave themelore si liria e shprehjes, liria e tubimit dhe aksesi në drejtësi rrezikojnë të dëmtojnë demokracinë dhe të rrisin më tej nivelet e korrupsionit.
Lexoni raportin e plotë duke klikuar në linkun në vijim: 👇