Gjashtë bashki të vendit në 6 mars 2022 iu nënshtruan zgjedhjeve të pjesshme vendore të dekretuara më 20 janar 2022 nga Presidenti i Republikës, për të rizgjedhur Kryetarët e Bashkive, pozicione të lëna vakante për shkak të largimit të kryetarëve të zgjedhur në vitin 2019 për arsye të dekriminalizimit apo arsye shëndetësore. Dekreti i munguar prej dy vjetësh për shkak të konflikteve mes Presidentit dhe mazhorancës në Gjykatën Kushtetuese, doli në një moment kur opozita ishte e ndarë në dy kampe. Qytetarët e Bashkive Shkodër, Durrës, Lushnjë, Dibër, Vorë dhe Rrogozhinë patën në dispozicion 18 kandidatë për të votuar në 6 mars të cilët vinin nga tre grupime politike si Partia Socialiste, Partia Demokratike e përfaqësuar nga Lulzim Basha dhe Koalicioni Shtëpia e Lirisë, e përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit, i drejtuar de facto nga Sali Berisha, LSI dhe PDK. Më 23 korrik 2020 hyrën në fuqi ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor, të dakordësuara në Këshillin Politik në 5 qershor të po këtij viti. Përveç ndryshimeve në aspektin e financimit të partive politike, listave gjysëm të hapura dhe përfshirjes së teknologjisë në zgjedhje, me kërkesë të opozitës u realizuan ndryshime edhe në aspektin e përdorimit të burimeve shtetërore në mbështetje të subjekteve zgjedhore dhe veprimtarive të institucioneve publike në fushatë. Këto ndryshime synonin të kufizonin dhe ndalonin përdorimin e aseteve, burimeve njerëzore dhe punësimeve, 4 muaj nga dita e zgjedhjeve.2 Pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, në 24 dhjetor 2020 Komisioni Rregullator pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nxori vendimin nr.9 për Rregullat e Raportimit të Veprimtarive të Institucioneve Publike dhe Veprimtaritë e Ndaluara në Fushatë Zgjedhore.