Pas kalimit të një semestri të plotë nëpërmjet mësimit online, studentët e universiteteve publike dhe private prisnin të fillonin mësim në auditore, ashtu siç kishte paralajmëruar Konferenca e Rektrorëve dhe Ministria e Arsimit në muajin tetor 2020. Katër ditë para fillimit të procesit mësimor, në datën 30 tetor 2020, Komiteti Teknik i Ekspertëve të pandemisë covid-19 doli me një vendim duke sugjeruar që universitetet të zhvillojnë mësimin online si masë anti-covid. Organet drejtuese të universiteteve të gjendura të papërgatitura dhe të pa konsultuara me këtë vendim, ligjëruan sugjerimin e Komitetit dhe në datën 2 nëntor zyrtarisht nisi mësimi vetëm online në të gjitha universitetet publike dhe private. Kjo situatë e gjeti të papërgatitur edhe komunitetin e studentëve të cilët, bazuar në njoftimet e MASR dhe Rektorëve kishin marrë të gjitha masat për fillimin e mësimit të alternuar duke paguar tarifat e konvikteve, shtëpive me qera dhe orendive të nevojshme për jetën e tyre studentore në bashkitë universitare. Java e parë e mësimit nisi me protesta të studentëve të cilët kundërshtuan zhvillimin e mësimit online duke e cilësuar si jo efektiv, nisur edhe nga eksperienca e tyre në muajt mars – gusht 2020. Ky është vlerësimi i dytë i realizuar nga Qëndresa Qytetare brenda vitit 2020 mbi performancën, efektivitetin dhe mundësinë që kanë studentët për të ndjekur mësimin online dhe ka për qëllim evidentimin e problematikave sfidave dhe nevojave që kanë studentët dhe universiteti në këtë qasje të re të mësimit në distancë.
Klikoni më poshtë për të lexuar vlerësimin e plotë 👇: