Banorët: Kërkojmë asfaltimin e aksit rrugor Koçaj – Kakunjë
Banorët: Të rikthehet transporti publik në linjën Baldushk – Tiranë
QQ: Banorët e periferisë nuk duhet të distancohent nga investimet dhe shërbimet
239 banorë të Njësisë Administrative Baldushk iu drejtuan me një peticion Këshillit Bashkiak Tiranë për të kërkuar asfaltimine rrugës Koçaj – Kakunjë dhe rikthimin e munguar prej dy vitesh të linjës së transportit publik Tiranë – Baldushk.
Rruga lidhëse Koçaj-Kakunjë, një aks 1.5 km që lidh banorët dhe bizneset e zonës me Njësinë Administrative Baldushk dhe Qytetin e Tiranës, prej vitesh vijon të jetë problematike duke vështiresuar jetën e përditshme të banorëve të zonës. Pavarësisht se Bashkia Tiranë ka premtuar në vitin 2017 rehabilitimin e rrugës me të gjitha elementët e saj, ende vijon të mos ketë bërë asnjë investim infrastrukturor në këtë rrugë.
Për shkak të gjendjes së rrugës prej dy vjetësh është ndërprerë edhe transporti publik që lidh fshatin me kryeqytetin duke vështirësuar akoma më shumë jetën e komunitetit dhe lidhjen me qendrën e bashkisë ku ata marrin edhe shërbimet kryesore. Fshati Kakunjë është i njohur si atraktsion turistik edhe në faqen e internetit të Bashkisë Tiranë ku Ujvara e Kakunjës shfaqet si një potencial për zhvillimin e turizmit rural dhe ekonomisë lokale të banorëve por nga ana tjetër infrastruktura për të shfrytëzuar këtë atraksion turistik mungon.
Qëndresa Qytetare së bashku me 239 banorët që firmosën peticionin i bëjnë thirrje Këshillit Bashkiak dhe Bashkisë Tiranë të ndërhyjë menjëherë në këtë aks duke rehabilituar rrugën dhe kthyer transportin publik. Shërbimet dhe investimet duhet të jenë të njëtrajtshme pasi taksat paguhen njëlloj, prandaj duhet eleminuar diskriminimi dhe distancimi i periferisë nga qendra.