Zgjedhjet në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë u mbajtën në datë 30 Korrik 2020 bazuar në Urdhrin nr.175, dt. 30.06.2020 të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ku ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2016, secila prej 12 IAL-ve hartuan dhe miratuan vetë rregulloret e tyre të organizimit të proceseve zgjedhore. Sipas ligjit 80/2015 të drejtën për të zgjedhur autoritetet drejtuese (Rektor, Dekan, Përgjegjës Departamenti, Senat Akademik) e kishin: personeli akademik me 90% të peshës së votës dhe studentët me 10% të peshës së votës.
Qëndresa Qytetare monitoroi procesin e nxjerrjes së akteve nënligjore, administrimin e zgjedhjeve dhe verifikimin e plagjiaturave të kandidatëve për autoritetet drejtuese në universitete. Gjithashtu për shkak se zgjedhjet u zhvilluan gjatë periudhës së pandemisë Covid 19, një rol të rëndësishëm kanë marrë dhe masat anti-covid në këtë monitorim. Në këtë studim janë marrë në shqyrtim tre universitetet publike më të mëdha në vend: Universiteti i Tiranës, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, Universiteti Politeknik i Tiranës.
Për shkak të mbështetjes juridike dhe publike të një grupi studentësh të cilët me të drejtë vendosën të padisin Universitetin e Tiranës për proces të paligjshëm për shkak të mbarimit të mandatit të Komisionit Institucional Zgjedhor, dhe përjashtimit të një pjesë të studentëve nga e drejta e votës për shkaqe objektive, Qëndresa Qytetare nuk e monitoroi procesin gjatë ditës së zgjedhjeve në Universitetin e Tiranës, duke mos e konsideruar të ligjshëm deri në një vendim të formës së prerë nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë. Ndërkohë Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës ka refuzuar kërkesën për akreditimin e vëzhguesve të Qëndresës Qytetare me argumentin se rregullorja e tyre e brendshme nuk e lejon vëzhgimin e procesit zgjedhor nga aktorë të jashtëm.
Universiteti Politeknik i Tiranës aprovoi kërkesën duke akredituar 14 vëzhgues të Qëndresës Qytetare të cilët u vendosën në qendrat evotimi të 7 Fakulteteve të UPT. Vëzhgimi i procesit përfshiu fazën e votimit, atë të numërimit dhe shpalljen e rezultateve zgjedhore. Rektor i Universitetit u zgjodh Z.Andrea Maliqari me 62.18% të votave përballë kandidatit Vladi Kolici me 37.82% të votave. Në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës kandidatja për Rektor garoi e vetme, ndërsa në Universitetin e Tiranës pati garë mes tre kandidatëve, ku fitues u shpall z. Artan Hoxha.
Gjetjet dhe rekomandimet e këtij raporti monitorues do ti përcillen institucioneve publike të arsimit të lartë, Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Këshillave Studentore.
LEXONI MË POSHTË RAPORTIN E PLOTË 👇