Në vijim të përpjekjeve për garantimin e zgjedhjeve të rregullta dhe të ligjshme në universitetet publike, Qëndresa dhe studentët i kërkuan Presidentit zhvillimin e një takimi urgjent për t’i paraqitur të gjitha problematikat të zgjedhjeve në universitete. Në kërkesën drejtuar kreut të shtetit, thuhet se pavarësisht se ndodhemi në të njëjtat kushte si më parë, pasi situata e pandemisë vetëm është përkeqësuar, ndërkohë që studentët sërish nuk ndodhen në universitete, Ministrja ka caktuar datën 30 Korrik për zhvillimin e zgjedhjeve.
Kërkesa e Plotë:
I nderuar Z. President,
Në datën 30 Qershor, Ministrja e Arsimit ka caktuar datën 30 Korrik 2020 për zhvillimin e zgjedhjeve në universitetet publike. Studentët e universiteteve të ndryshme publike, të mbështetur nga Qëndresa Qytetare, kanë kundërshtuar zhvillimin e këtyre zgjedhjeve pasi:
- Caktimi i datës së zgjedhjeve nga Ministrja e Arsimit është bërë në mungesë të konsultimit me Konferencën e Rektorëve, cka vjen në kundërshtim me nenin 57 të Kushtetutës dhe nenin 131 të ligjit Nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor”, që garantojnë autonominë e universiteteve sa i përket cështjes së zgjedhjeve.
- Fillimi i procesit zgjedhor në datë 30 Qershor dhe përfundimi i tij më 30 Korrik krijon një situatë të rëndë paligjshmërie në universitetet publike, pasi cdo universitet publik e ka të pamundur – pa shkelur rregulloren e zgjedhjeve – që të mbyllë procesin zgjedhor brenda afatit një mujor. Rastet më tipike janë Universiteti i Tiranës dhe Universiteti i Shkodrës.
- Zhvillimi i zgjedhjeve më 30 Korrik përjashton tre të pestat e studentëve nga e drejta ligjore për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur në organet drejtuese të universiteteve publike. Kjo pasi referuar vetë urdhërit të Ministres së Arsimit Nr. 104/2020, studentëve e dy viteve të para Bachelor dhe vitit të parë Master do të kthehen në universitete në muajin Gusht, cka do të thotë se këto tre vite nuk do të jenë kthyer akoma në kohën që zhvillohen zgjedhjet. Ndërsa, pjesa tjetër e studentëve do t’i kenë përmbyllur provimet deri më 25 Korrik, cka do të thotë se në ditën e zgjedhjeve në universitete nuk do të gjendet pjesa më e madhe e studentëve. Përjashtimi i studentëve nga e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur vjen në kundërshtim të hapur me nent 37, 39 dhe 42 të ligjit Nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Republikës së Shqipërisë”.
- Shqipëria vazhdon të jetë zyrtarisht në gjendjen e epidemisë, e cila është shpallur me Urdhërin Nr. 156/2, datë 11.03.2020, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deri në një urdhër të dytë. Ndërkohë, referuar burimeve zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë rastet e të prekurve me COVID-19 dhe viktimave po rritet cdo ditë, dhe autoritetet kanë filluar marrjen e masave të para për të kufizuar lëvizjet e qytetarëve dhe bizneseve. Epidemiologia e Institutit të Shëndetit Publik dhe anëtarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve Dr. Silva Bino është shprehur publikisht se zgjedhjet nuk duhet të mbaheshin në këto kushte. Ndërkohë, Ministria e Arsimit dhe universitetet nuk kanë asnjë plan, protokoll apo masë si do të garantojnë votimin pa rrezikuar një përhapje masive të COVID-19.
- Situata në Universitetin e Tiranës është në shkelje të shumta ligjore. Konkretisht, mandati i Komisionit Institucional të Zgjedhjeve ka përfunduar, ndërkohë që Komisioni i ri nuk u arrit të zgjedhej. Megjithatë, edhe sikur Komisioni i vjetër të ishte i ligjshëm, ai ka kryer veprime të cilat janë në kundërshtim të plotë me rregulloren e zgjedhjeve. Në datën 8 Korrik, Rektori i UT-së ka njoftuar zyrtarisht Ministrinë e Arsimit se në Universitetin e Tiranës është e pamundur të zhvillohen zgjedhje të rregullta më 30 Korrik. Ndërkohë, studentët kanë depozituar një padi në gjykatën administrative, e cila e ka lënë situatën pezull deri në datën 18 Shtator, kur do të zhvillohet seanca e ardhshme.
I nderuar Z. President,
Në muajt Prill – Maj, ne u ngritëm kundër zhvillimit të zgjedhjeve në Qershor 2020, në një kohë kur vendi ishte në kulmin e pandemisë COVID-19 dhe studentët nuk ndodheshin në universitete. Në atë kohë, ju reaguat zyrtarisht duke kërkuar gjithëpërfshirje, cka më pas solli anullimin e datës së zgjedhjeve nga Ministrja e Arsimit. Sot, ne vazhdojmë të jemi në të njëjtat kushte. Situata e pandemisë vetëm është përkeqësuar, ndërkohë që studentët sërish nuk ndodhen në universitete.
Për më tepër, në universitetet publike, sic është rasti i Universitetit të Tiranës janë shënuar një sërë parregullsish që e bëjnë këtë proces ligjërisht të pavlefshëm. Në cilësinë e kreut të shtetit, por edhe organit kushtetues që certifikon ligjshmërinë e zgjedhjeve nëpërmjet dekretimit të rektorëve të rinj, ne kërkojmë zhvillimin e një takimi me një grup studentësh dhe përfaqësuesish të Qëndresës Qytetare mbi problematikat e shumta të zgjedhjeve në universitetet publike.
Mandati juaj si President i Republikës është karakterizuar nga mbrojtja e Kushtetutës dhe ligjit, prandaj ne mbetemi të bindur që edhe kësaj here ju do të qëndroni në krah të ligjit, duke refuzuar dekretimin e rektorëve, që janë burim i zgjedhjeve të parregullta, të paligjshme dhe përjashtuese.
Duke ju falënderuar paraprakisht, mbetemi në pritje të përgjigjes Tuaj.