Qëndresa qytetare ka hapur një ekspozitë këtë të shtunë duke paraqitur skandalet në shkollat dhe universitetet shqiptare.
Së bashku me këtë ekspozitë është vendosur dhe një tabelë ku qytetarët mund të vlerësojnë punën e minsitres Shahini, dhe fatkeqësisht mbizotëron vlerësimi negativ.
”Sigurisht që ne do donim që në krye të këtyre institucioneve të mos jenë njerëz që për të mira personale sakrifikojnë arsimin, por sigurisht të jenë ata të cilët sakrifikojnë personalen për hir të arsimit.”
Kalimtarë të rastit dhe studentë vlerësojnë negativisht punën e Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar prej ministres të marrë masa sa më parë për sigurinë në shkolla.
”Notën 4 se nuk ka ndjeshmëri nga Ministria e Arsimit. Mendoj që ministrja duhet të kishte dalë me një deklaratë sepse është detyrim moral i ministrisë dhe ajo si drejtuese e këtij institucioni. Notën 4 nuk ja vendos vetëm ministres por gjithë ministrisë dhe intitucioneve arsimore.”
Në lidhje me skandalet e publikuara në media, ministrja Besa Shahini reagoi me anë të një statusi në Facebook, ku akuzoi median se po përdorin historitë e viktimave.
“Shfrytëzimi i viktimave të abuzimit apo neglizhencës, për arsyetë tërheqjes së vëmendjes apo vetë-promovimit, është poshtërsi. Po të kishin interesin e të abuzuarve në mendje, nuk do t’i nxirrnin në media me identitet të plotë duke spekuluar me ditë të tëra për detaje të abuzimit”, shkruan Shahini.
Për 20 muaj të Besa Shahinit në krye të misnitrisë së Arsimit, Qëndresa qytetare paraqiti më shumë se 20 raste të abuzimeve seksuale, ryshfeteve apoe dhe dhunës psikologjike në këto institucione.