Në Ditën Ndërkombëtare të Edukimit, Qëndresa Qytetare dhe studentet organizuan një protestë kreative duke ironizuar fenomenin e korrupsionit në arsim. Në këtë aktivitet u themelua “Universiteti i Shkencave të Korrupsionit”, simbol i të gjitha problematikave që kanë karakterizuar sistemin arsimor në vitet e tranzicionit.
Në këtë protestë folën të vetshpallurit Dekani dhe Rektori, të cilët jo vetëm shpërndanë falas 200 tituj akdemik për të pranishmit dhe kalimtarët, por ironizuan edhe sjelljen e drejtuesve universitarë ndër vite. Sloganet kryesore të protestës ishin “Diplomë Tak-Fak”, “Një diplomë në xhepin tuaj”, “Investo në formimin tënd! Jepe një puthje!”, “Doktoraturë falas për politikanë dhe deputetë”
Aktivisti i Qëndresës Qytetare Migen Qiraxhi u shpreh se kjo nismë erdhi për shkak të degradimit të situatës së arsimit në vend dhe shurdhërisë së institucioneve dhe politikës ndaj këtij problemi.
Cdo muaj ne jemi dëshmitarë të rasteve korruptive, nepotizmit, favoreve seksuale, detyrimeve per blerje librash, titujt shkencore jomeritore dhe rasti i fundit tregoi se si nota blihej 150 euro, dëshmi e qartë se si universitetet e vendit janë kthyer në markete ushqimesh.
Në këtë moment ku institucionet dhe mekanizmat ligjorë kanë dështuar të sjellin ndëshkueshmëri të fenomenit të korrupsionit, e vetmja rrugë dhe mjet që kemi për të rritur koston e të korruptuarve në shoqëri është ti tallim, ironizojmë dhe turpërojmë në publik përfundoi Qiraxhi.
Ky aktivitet u organizua në një moment kur Shqipëria u rendit e 106 në perceptimin global të korrupsionit si vendi më i korruptuar në Rajnon dhe Europë, duke rënë më 7 vende, krahësuar me vitin 2018. Pikërisht, Qëndresa Qytetare e ka nisur luftën me arsimin, pasi beson se korrupsioni i të gjitha institucioneve dhe zyrtarëve shtetërore në vend buron nga korrupsioni në sistemin e edukimit.