Protesta studentore në muajin dhjetor 2018 përtej adresimit të problematikave universitare në kuptimin e zbatimit të ligjit apo kushteve të jetesës, nxorri një pah një fenomen të akumuluar të rinisë shqiptare në këto 30 vite të tranzicionit, mungesën e përfaqësimit. Studentët nuk i besuan partive politike, qeverisë, medias dhe as organizatave rinore duke refuzuar dialogun dhe përfaqësimin hierarkik. Në këto kushte qeveria u detyra të hartojë një dokument politikash, të titulluar “Pakti për Universitetin” dhe në mungesë të dialogut i vendosi vetes afate për çështjet që adresonin kërkesat e studentëve, të cilat u konvertuan në premtime dhe detyrime ligjore njëkohësisht. Qëndresa Qytetare, organizatë me fokus arsimin e lartë,me mbështetjen e Olof Palme International Center,monitoroi gjatë një viti afatet, ecurinë, efektivitetin dhe transparencën e realizimit të premtimeve qeveritare dhe detyrimeve ligjore në kuadër të “Paktit për Universitetin”. Krahas monitorimit profesional të zbatimit të “Paktit për Universitetin”, Qëndresa Qytetare për të vlerësuar nga një këndvështrim tjetër politikat qeveritare në arsimin e lartë gjatë vitit 2019 zhvilloi një sondazh me studentë të 4 universiteteve publike duke mbledhur opinionet dhe vlerësimet e tyre mbi këto politika. Sondazhi shërbeu për të nxjerrë në pah opinionet e studentëve si përfitues të drejtpërdrejtë të politikave qeveritare si dhe për të plotësuar dhe pasuruar monitorimin e pavarur e periodik të Qëndresës Qytetare nga këndvështrimi i përfituesit të shërbimit.
Ky vlerësim vjen në një moment kur afatet e premtimeve kryesore të qeverisë kanë përfunduar dhe produktet apo përfitimet që solli protesta e studentëve konsiderohen të ezauruara. Synimi i kësaj matjeje është pasqyrimi objektiv i situatës aktuale dhe efektivitetit të realizimit të asaj ç’ka prodhoi protesta e studentëve duke adresuar rekomandime për politikëbërësit, drejtuesit e universiteteve, studiuesit dhe gazetarët që merren me çështjet e arsimit në Shqipëri.