Qëndresa Qytetare është një organizatë e fokusuar tek fuqizimi i rolit të qytetarit në shoqëri dhe synon përmirësimin e qeverisjes nëpërmjet angazhimit dhe aktivizmit qytetar. Nisur nga mungesa e shërbimeve ndaj studentëve në universitetet publike, ankesat e shumta prej tyre dhe tarifat e larta që aplikojnë universitetet, problematika të artikuluara edhe gjatë protestës të studentëve në muajin Dhjetor 2018, vendosëm të kryejmë këtë monitorim me mbështetjen e Fondacionit Friedrich Ebert.
Vlera e këtij monitorimi i cili u realizua edhe vitin e shkuar konsistoi në përdorimin e të dhënave nga të gjithë aktorët e protestës dhe vetë qeveria për të ndërmarrë masat dhe politikat për përmirësimin e situatës së transparencës dhe mirëmenaxhimit të parave.
Në kuadër të zbatimit të ligjit 80/2015 për arsimin e lartë dhe ndryshimeve që institucionet e arsimit të lartë pësuan sa i takon menaxhimit financiar dhe administrimit, Qëndresa Qytetare monitoroi shtatë universitete publike me fokus investimet dhe nivelin e transparencës së tyre në raport me publikun dhe studentët për periudhën 1 Shtator 2018 deri më 15 Mars 2019.
Monitorimi shërben për të hedhur dritë mbi mënyrën se si janë shpenzuar të ardhurat që grumbullohen nga tarifat e studentëve dhe të ardhurat që vijnë nga buxheti i shtetit duke u munduar për t’i dhënë një përgjigje pyetjes nëse reflektohen nevojat reale të studentëve apo kemi të bëjmë më një administrim jo efektiv të buxhetit vjetor të universiteteve?
Gjithashtu kjo nismë adreson një problematikë për të cilën qeveria në “Paktin për Universitetin” ndërmorri masa duke shkarkuar Anëtarët e Bordeve të Administrimit duke i zvendësuar me figura publike, si rezultat i presionit të lartë të studentëve për keq menaxhimin e parave dhe si reflektim i qeverisë për më shumë efiçencë në menaxhimin e parave nga Anëtaret e Bordeve përfaqësues të MASR.
Qëndresa Qytetare nëpërmjet këtij monitorimi synon të nxisë llogaridhënien publike të universiteteve ndaj studentëve dhe të stimulojë një nivel më të lartë transparence, nisur edhe nga fakti që tashmë është krijuar edhe portali u-transparenca.al, një database që synonte të përmbante çdo informacion në lidhje me shpenzimet e universiteteve.