Qëndresa Qytetare: Vetëm 20% e studentëve përfitojnë abone për transportin publik në kryeqytet. Nisur nga ankesat e studentëve për mungesë të aboneve të studentit për përdorimin e transportit publik në kryeqytet apo shitjen e saj në tregun e zi Qëndresa Qytetare zbuloi arsyet e kësaj problematike që prek studentët. Sipas Vendimit të Këshillit Bashkiak nr. 66 datë 30.12.2015 dhe udhëzimit të Ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës nr., 3743, 2017, studentët përfitojnë abone për të gjitha linjat ndërqytetase me çmim 600 lek dhe bashkia Tiranë është e detyurar ti garantojë çdo individi që gëzon statusin e studentit këtë të drejtë. Nga korrespodenca zyrtare me Qëndresën Qytetare, Bashkia Tiranë pohon se sasia mujore e aboneve të studentit për të gjithë linjat qytetëse është 13904 copë. Ndërkohë që sipas INSTAT në kryeqytet studiojnë 59765 studentë në universitetet publike dhe rreth 9000 në ato private. Referuar të dhënave zyrtare Bashkia ofron abone studenti 600 lek vetëm për 20 % të studentëve ndërsa 80 % e tyre duhet ta blenë abonenë e përgjithshme si çdo qytetar me çmimin 1600 lek ose të paguajnë biletën 40 lek për cdo udhëtim. Sa i përket shitjes së abonesë në treg të zi nga punonjësit e operatorëve të transportit publik dhe mungesës së informacionit për një vend të paracaktuar ku studentët mund të pajisen me këtë document, Bashkia është përgjigjur se nuk ka asnjë procedurë ligjore të parashikuar mbi mënyrën e pajisjes me abone studenti, por janë vetë operatorët privatë që pajisin studentët me abone. Në një kohë ku vëmendja ndaj të drejtave të studentëve është rritur, institucionet duhet të bëjnë detyrat e tyre të shtëpisë përapara se të ofrojnë premtime shtesë në 3D apo pika +. Qëndresa i bën thirrje bashkisë Tiranë të plotësojnë nevojat e studentëve sipas detyrimeve që i ngarkon ligji për të ofruar reduktim të çmimit për transportin publik për të gjithë studentët si dhe të përcaktojë vendet ku dhe kur studentët e marrin abonenë sipas një procedure të qartë ligjore.