Universiteti “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit është një institucion i arsimit të lartë publik, i cili ofron programe studimi në të treja ciklet e studimit në gjuhën shqipe dhe përbëhet nga pesë fakultete. Duke qenë se Qëndresa Qytetare ka realizuar disa matje dhe monitorime në këtë universitet përsa i takon raportit korruptiv pedagog – student dhe transparencës financiare të menaxhimit të këtij universiteti pas reformës në arsimin e lartë, në këtë analizë u ndalëm vetëm tek sistemi i ankesave dhe përfaqësimit të studentëve brenda universitetit. Qëndresa Qytetare në bashkëpunim me National Democratic Institute (NDI Albania) realizoi një pyetësor me studentët e këtij Universitetit në lidhje me nivelin e informimit të studentëve në raport me të drejtat dhe detyrimet e tyre brenda auditorëve dhe nivelin e përfaqësimit të tyre në strukturat e universitetit.
Qëllimi kryesor i këtij pyetësori është evidentimi i pengesave dhe vështirësive që hasin studentët për të adresuar shqetësimet e tyre në lidhje me vleresimet e pedagogëve, shërbimet që ofron universiteti për ta, si dhe evidentimi i nivelit të përfaqësimit të tyre brenda organeve të universitetit. Gjithashtu ky hulumtim shërben për të analizuar përmbajtjen dhe funksionimin e dokumentacionit bazë për organizimin dhe funksionimin e universitetit, si dhe hapësirat që Statuti, Rregullorja e Universitetit dhe Kodi i Etikës i mundësojnë studentëve për të reaguar.