Korrupsioni në sistemin arsimor është një dukuri jo e re për realitetin shqiptar, i shfaqur në aspekte të ndryshme të funksionimit të institucioneve arsimore në nivel parauniversitar dhe universitar. Qëndresa Qytetare në këtë studim ka marrë si objekt monitorimi vetëm arsimin e lartë publik, konkretisht aspektin e marrëdhënies pedagog – student dhe administrate universitare – student. Gjetjet kryesore të këtij raporti tregojnë një perceptim të lartë dhe të besueshëm të pranisë së këtij fenomeni në universitetet publike por edhe një anagzhim të ulët të strukturave për ta reduktuar atë. Gjithashtu studenti si figurë qëndrore, herë viktimë dhe herë palë e këtyre rasteve shfaq një nivel të lartë informacioni mbi prezencën e korrupsionit, por një nivel të ulët gatishmërie për ta raportuar dhe për të reaguar ndaj këtij fenomeni. Format e shfaqjes së korrupsionit në universitete sipas të dhënave të grumbulluara kanë specifikat e tyre, duke filluar nga shitblerja e notës, detyrimi për blerje librash e deri tek angazhimi i administratës së universitetit në rolin e ndërmjetësit në rastet e korrupsionit. Nga raporti krahasimor i këtij studimi del në pah një tjetër e dhënë, ku universitetet e qarqeve janë më të predispozuar për të shfaqur fenomenin e korrupsionit se universitetet e kryeqytetit, referuar kjo edhe nga raporti i vitit të kaluar të Qëndresës Qytetare. 1Gjetjet e këtij monitorimi ndihmojnë për të përcaktuar se cilat aspekte të korrupsionit në arsimin e lartë duhet të adresohen, cilat masa ligjore – administrative duhen forcuar dhe cilat janë mekanizmat institucionale dhe shoqërore që mund të parandalojnë përhapjen e këtij fenomeni në universitetet publike.