Qëndresa Qytetare është një organizatë e fokusuar tek fuqizimi i rolit të qytetarit në shoqëri dhe synon përmirësimin e qeverisjes nëpërmjet angazhimit dhe aktivizmit qytetar. Nisur nga mungesa e shërbimeve ndaj studentëve në universitetet publike, ankesat e shumta prej tyre dhe tarifat e larta nga ana tjetër, vendosëm të kryejmë këtë monitorim me mbështetjen e Fondacionit Friedrich Ebert. Një tjetër arsye që na shtyu të vëzhgojmë mënyrën e menaxhimit të këtyre universiteteve ishin edhe raportet e dobëta nga komisioni i akreditimit si edhe raporti i Institutit të Statistikave të UNESCO-s, ku Shqipëria renditet e para në Europë për numër më të lartë të studentëve që zgjedhin për të studiuar jashtë për 1000 banorë.1 Në kuadër të zbatimit të ligjit 80/2015 për arsimin e lartë dhe ndryshimeve që institucionet e arsimit të lartë pësuan sa i takon menaxhimit financiar dhe administrimit, Qëndresa Qytetare monitoroi tre universitete publike me fokus investimet dhe nivelin e transparencës së tyre në raport me publikun dhe studentët për periudhën 1 Shtator 2017 deri më 13 Qershor 2018. Universitetet e përzgjedhura për këtë monitorim ishin: Universiteti i Tiranës, Universiteti i Durrësit “Aleksandër Moisiu” dhe Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”. Ky monitorim shërben për të hedhur dritë mbi mënyrën se si janë shpenzuar të ardhurat që grumbullohen nga tarifat e studentëve dhe të ardhurat që vijnë nga buxheti i shtetit duke u munduar për ti dhënë një përgjigje pyetjes se a reflektohen nevojat reale të studentëve apo kemi të bëjmë më një administrim jo efektiv të buxhetit vjetor?
FES-Tirana
Fondacioni “Friedrich Ebert” në bashkëpunim me “Qëndresën Qytetare”, organizuan në datë 27 qershor 2018, në mjediset e Hotel Tirana International, tryezën e diskutimit mbi: “Transparencën dhe Menaxhimin Financiar të Universiteteve Publike”. Kjo nismë, që lidhet ngushtësisht me reformën e aplikuar në arsimin e lartë, ka për qëllim të monitorojë autonominë dhe menaxhimin financiar të tre universiteteve, përkatësisht atë të Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit për vitin akademik 2017 – 2018. Rritja e llogaridhënies dhe transparencës së universiteteve, mbetet sfida kryesore e projektit.
Përgjatë aktivitetit, përfaqësues të Këshillit të Lartë të Shtetit, Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Avokatit të Popullit, Departamentit të Anti-korrupsionit në Policinë e Shtetit, senateve akademike, organizatave të studentëve dhe atyre të gazetarisë investigative, u angazhuan në diskutime aktive duke reflektuar mbi gjetjet e raportit. Duhet theksuar se, angazhimi i institucioneve të lartpërmendura ka qenë mjaft serioz deri më tani. Në gjetjet e raportit të monitorimit, ka mjaft të dhëna dhe fakte të cilat janë serioze dhe duhen ndjekur nga insitucionet publike shqiptare.
Angazhimi i Fondacionit “Friedrich Ebert” dhe i “Qëndresës Qytetare” do të jetë i vazhdueshëm përsa i përket raportimit të mungesës së transparencës në universitetet publike, si dhe të fenomeneve të tjera të denoncueshme në Arsimin e Lartë në Shqipëri.
PS: Raporti i monitorimit është në versionin draft, pasi të gjitha diskutimet dhe rekomandimet e paraqitura gjatë tryezës do të integrohen në raportin final.