Më datë 23.7.2020, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin nr. 101/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 ‘Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë’, i ndryshuar”. Sipas Relacionit të tij, projektligji i jepte zgjidhje ligjore problematikave më emergjente që kishin dispozitat ligjore në fuqi dhe zbatimin e tyre në praktikë, si dhe në disa raste, si ai i financimit të zgjedhjeve, plotëson rekomandimet e projekteve specifike të ndërmarra nga organizmat ndërkombëtare. Në një situatë të tillë, ligjvënësi mori disa masa që synonin ndalimin e përdorimit të burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore, si dhe vendosi detyrimin e institucioneve publike për të raportuar në KQZ të gjitha veprimtaritë publike, të organizuara në periudhën katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në ditën e zgjedhjeve. Sipas nenit 91, të Kodit Zgjedhor, burimet e organeve apo enteve publike, ose të atyre enteve, ku shteti zotëron kapitale apo kuota, nuk mund të përdoren ose të vihen në mbështetje të kandidatëve, të partive politike ose të koalicioneve në zgjedhje, pavarësisht nga burimi i kapitalit ose pronësia. Në vijim, Kodi Zgjedhor ka përcaktuar se burime do të quhen asetet e luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe çdo burim njerëzor i institucionit. Në këtë drejtim, burime njerëzore të institucionit konsiderohet: (i) përdorimi i detyruar në fushatë zgjedhore i administratës së institucionit brenda orarit të punës për qëllime zgjedhore; (ii) përdorimi i detyruar dhe i organizuar brenda orarit mësimor i nxënësve të sistemit shkollor parauniversitar në fushatë
zgjedhore; si dhe (iii) premtimi ose ofrimi i përfitimeve nëpunësve publikë, ose nxënësve për të marrë pjesë në veprimtari që lidhen me fushatën zgjedhore jashtë orarit të punës ose mësimit, si dhe ushtrimi i presionit ndaj tyre për këtë qëllim. Në vijim, Kodi Zgjedhor ka parashikuar se ndalohet marrja në punë, pushimi nga puna, lirimi, lëvizja dhe transferimi në detyrë në institucionet apo entet publike, me përjashtim të atyre rasteve kur lëvizja apo lirimi nga puna vjen si rrjedhojë e shkeljeve, ose marrja në punë bëhet brenda strukturës dhe organikës në fuqi përpara fushatës zgjedhore nga institucioni apo enti publik në përmbushje të misionit, me përjashtim të rasteve të emergjencave.