Qëndresa Qytetare është një organizatë e fokusuar tek fuqizimi i rolit të qytetarit në shoqëri dhe synon përmirësimin e qeverisjes nëpërmjet angazhimit dhe aktivizmit qytetar. Nisur nga mungesa e shërbimeve ndaj studentëve në universitetet publike, tarifat e larta që aplikohen në to e në tërësi nga ankesat e artikuluara gjatë protestës së studentëve në muajin dhjetor 2018, por edhe protestës së pedagogëve për pagat në qershor – shtator 2022, vendosëm të kryejmë këtë monitorim me mbështetjen e Fondacionit Friedrich Ebert, i cili realizohet për të pestin vit akademik radhazi. Vlera e këtij monitorimi i cili u realizua edhe vitin e shkuar konsistoi në përdorimin e të dhënave nga të gjithë aktorët universitarë, qeveria dhe studentët për të ndërmarrë masat dhe politikat për përmirësimin e situatës së transparencës dhe mirëmenaxhimit të parave. Në kuadër të zbatimit të ligjit 80/2015 për arsimin e lartë dhe ndryshimeve që institucionet e arsimit të lartë pësuan sa i takon menaxhimit financiar dhe administrimit, Qëndresa Qytetare monitoroi gjashtë universitete publike me fokus investimet dhe nivelin e transparencës së tyre në raport me publikun dhe studentët për periudhën 1 shtator 2021 – 31 gusht 2022. Ky monitorim shërben për të hedhur dritë mbi mënyrën se si janë shpenzuar të ardhurat që grumbullohen nga tarifat e studentëve, të ardhurat që gjeneron vetë universiteti dhe të ardhurat që vijnë nga buxheti i shtetit duke u munduar kështu t’i japë përgjigje pyetjes nëse reflektohen nevojat reale të studentëve, a përkthehen në shërbime dhe shkencë apo kemi të bëjmë më një administrim jo efektiv të buxhetit vjetor të universiteteve?
Gjithashtu kjo nismë adreson një problematikë për të cilën qeveria, si rezultat i presionit të lartë të studentëve, në “Paktin për Universitetin”, për shkak të keq menaxhimit të parave, ndërmori masa duke zëvendësuar Anëtarët e Bordeve të Administrimit me figura publike si reflektim për më shumë efiçencë në menaxhimin e parave nga Anëtarët e Bordeve përfaqësues të MASR dhe më pas për të përzgjedhur përfaqësues të studentëve tek një prej anëtarëve të bordit, zgjedhje të cilat lanë për të dëshiruar dhe nuk dhanë efektin e pritur. Qëndresa Qytetare nëpërmjet këtij monitorimi synon të nxisë gjithashtu llogaridhënien publike të universiteteve ndaj studentëve dhe të stimulojë një nivel më të lartë transparence, nisur edhe nga fakti që tashmë është krijuar portali u-transparenca.al, një database që synonte të përmbante çdo informacion në lidhje me shpenzimet e universiteteve, por ende nuk ka dhënë rezultatet e pritura.