Qëndresa Qytetare është një organizatë e fokusuar tek fuqizimi i rolit të qytetarit në shoqëri dhe synon përmirësimin e qeverisjes përmes angazhimit dhe aktivizmit qytetar. Nisur nga mungesa e shërbimeve ndaj studentëve në universitetet publike, tarifat e larta që aplikohen në to, dhe në tërësi nga ankesat e artikuluara gjatë protestës së studentëve në muajin Dhjetor 2018, vendosëm të kryejmë këtë monitorim me mbështetjen e Fondacionit Friedrich Ebert, i cili realizohet për të tretin vit akademik rradhazi. Vlera e këtij monitorimi, i cili u realizua edhe vitin e shkuar, konsistoi në përdorimin e të dhënave nga të gjithë aktorët universitarë, qeveria dhe studentët për të ndërmarrë masat dhe politikat për përmirësimin e situatës së transparencës dhe
mirëmenaxhimit të parave. Në kuadër të zbatimit të ligjit 80/2015 për arsimin e lartë dhe ndryshimeve që institucionet e arsimit të lartë pësuan sa i takon menaxhimit financiar dhe administrimit, Qëndresa Qytetare monitoroi gjashtë universitete publike me fokus investimet dhe nivelin e transparencës së tyre në raport me publikun dhe studentët për periudhën 1 shtator 2020 – 31 gusht 2021.