Të rinjtë në Shqipëri përbëjnë rreth 1/3 e popullsisë më aktive dhe si të tillë kanë një rol thelbësor në proceset zgjedhore dhe demokratike të vendit. Qëndresa Qytetare gjatë fushatës dhe zgjedhjeve të 25 prillit analizoi disa komponentë të zgjedhjeve, përfshi pjesëmarrjen e të rinjve, përfaqësimin e të rinjve në listat zgjedhore dhe në vendet e parlamentit, ku rezultoi se vetëm 2 nga 140 deputetët e ardhshëm do i përkasin moshës 18 – 29 vjeç. Pavarësisht vëmendjes së ulët ndaj të rinjve, nëpërmjet kësaj analize Qëndresa Qytetare synon të matë perceptimet dhe të zbulojë opinionet e të rinjve mbi votën, sistemin dhe partitë politike, pas përfundimit dhe shpalljes së rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kjo analizë i shërben vendimmarrësve dhe aktorëve që punojnë në fushën e rinisë për të cuar energjitë tek nevojat që ka kjo kategori në raport me proceset zgjedhore. Në funksion të analizës Qëndresa Qytetare hartoi dhe shpërndau një pyetësor të plotësuar nga 300 të rinj nga 4 qarqe të vendit lidhur me perceptimine tyre për votën. Të rinjtë u pyetën 2 muaj pas ditës së zgjedhjeve, me një set pyetjesh duke lejuar shpërndarjen e anketës vetëm në 4 qarqe, konkretisht, anketimi u shtri në qarqet: Tiranë, Elbasan,Durrës dhe Shkodër.