Sipas të gjitha studimeve të fundit kombëtare dhe ndërkombëtare perceptimi i korrupsionit në Shqipëri është relativisht i lartë dhe korrupsioni shihet si një pengesë e madhe në zhvillimin politik, ekonomik dhe social të vendit. Kur shihet si i tillë edhe nga studentët brenda ambienteve të tyre të studimit, kthehet në një faktor dekurajues dhe demotivues për të rinjtë. Qëndresa Qytetare duke e pasur në themel të programit të saj luftën ndaj korrupsionit në arsim, ndërmorri këtë nismë për të matur nivelin e perceptimit dhe pranisë së fenomenit të
korrupsionit pasiv dhe aktiv në marrëdhënien pedagog – student. Ky studim vlen si provë e pa kontestueshme për të nxitur një debat publik të orientuar tek rrugët e zgjidhjes së problematikave që ka sjellë ndër vite dhënia e rryshfetit në këmbim të notës si dhe nxitjen e hartimit të politikave nga vetë universitetet në funksion të parandalimit të korrupsionit. Një tjetër arsye e fortë që legjitimon këtë studim është nevoja e madhe për vëmendje nga instrumentat politikë dhe qeveritarë drejt këtij fenomeni në sistemin arsimor, pasi deri më sot kemi debate dhe masa parandaluese të ndërmarra vetëm për korrupsionin ne sistemin gjyqësor, shëndetësor apo të shërbimeve publike. Nuk duhet harruar që e ardhmja e shoqërisë janë studentët dhe nëse sistemi ku ata formohen e stimulon favorizimin nëpërmjet pagesës së një cmimi, do ti sigurojmë shoqërisë shqiptare një të ardhme pa perspektivë.