Transparenca dhe menaxhimi financiar i Qytetit të Studentit përgjatë periudhës 1 Janar – 31 Dhjetor 2019 kanë qenë dy fushat e monitoruara së fundmi nga organizata Qëndresa Qytetare.
Nga monitorimi i kryer del në pah se Rezidenca Studentore Universitare Nr.1 (njihet ndryshe si Qytet Studenti), ka nivel mjaft të ulët transparence. Institucioni publik nuk ka zbatuar ligjin për të Drejtën e Informimit, Nr. 119/2014 pasi nuk zotëron një faqe web ku të pasqyrohen dhe bëhen publike procedurat dhe kriteret e akomodimit, programi i transparencës, kontratat me të tretët si dhe shpenzimet nga tarifat e studentëve, duke qenë një insitucion hermetik ndaj së drejtës qytetare për informim.
Gjetjet kryesore nga monitorimi i kryer për periudhën 1 janar -31 dhjetor janë:
- Rezidenca Studentore Universitare Nr.1 nuk ofron shërbimin e mensës dhe ngrohjes qëndrore për studentët shërbime keto të parashikuara në statutin dhe ekstraktin e kesaj rezidence.
- Kontratat e akomodimit në Qytetin Studenti kanë probleme ligjore të formulimit të një kontrate me të drejta dhe detyrime 2-palëshe. Kontrata shfaqet në disa variante me çmime të ndryshme në varësi të kushteve të godinave duke diskriminuar studentët bazuar në mundësitë e tyre financiare.
- Të ardhurat e RSU NR. 1 për vitin 2019 ishin 8.859.000 euro, ndërsa blerjet dhe investimet nëpërmjet prokurimeve publike 2.285.600 euro.
- Tre ditë pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019, Bashkia Tiranë vendosi të shembë tre(3) godinat e banuara nga qytetarë dhe të rikonstruktojë katër(4) godinat e banuara nga studentët në Qytetin Studenti. Vlerësimi i dëmeve të tërmetit në (4) godinat u krye nëpërmjet një procedure me negocim pa shpallje paraprake në vlerën 112 000 euro, duke shmangur asistencën e ekspertëve të ndërtimit vullnetarë të jashtëm dhe vendas.
- Bashkia Tiranë do të ndërtojë Kampusin e Ri Universitar nëpërmjet Partneritetit Publik–Privat (PPP). Procesi i përzgjedhjes së projektit, kompanisë dhe përfitimit të saj është jo transparent dhe në komisionin përzgjedhës nuk përfshiu as studentët që do e përdorin dhe as RSU NR.1 që do e administrojë atë.
- Rezidenca Studentore Universitare Nr.1 rezulton si një nga Autoritetet Publike me nivel shumë të ulët transparence dhe llogaridhënie. Rezidenca Studentore Universitare Nr.1 nuk disponon një faqe interneti funksionale për të publikuar procedurat dhe kriteret e akomodimit në rezidencë, kontratat, shpenzimet dhe gjithçka që lidhet me llogaridhënien publike.
- Si rezultat i keqmenaxhimit gjatë tranzicionit, Qyteti Studenit ka humbur funksionin që mbante në vitet 70’ – 90’ si Kampus Universitar duke humbur shërbimet, territorin dhe godinat
Qytet Studenti çmime dyfish më të larta se Qendra e Studentëve në Prishtinë
Qytet Studenti akomodon rreth 500 studentë, ndërsa Qendra Studentore në Prishtinë akomodon rreth 3600 studentë. Për ta parë se si ofrohen shërbimi për studentët në këto dy qendra, Qëndresa Qytetare ka bërë një krahasim, nga i cili vërehet se kushtet e jetesës në godinat e Qendrës Studentore Prishtinë, duke përfshirë ushqimin, terrenet sportive , mënyra e përzgjedhjes së studentëve është më e pranueshme dhe më transparente në krahasim me Qytet Studentin e Shqipërisë.
- Referuar raportit, tarifa e akomodimit në konvikt në Kosovë shkon 20 euro muaji, ndërsa në Shqipëri 37 euro muaji.
- Në Kosovë për ushqim, akses në media dhe internet tarifa shkon 15 euro në muaj, ndërsa në Shqipëri ky shërbim nuk ofrohet.
- Lavanderia në konviktet e Kosovës përfshihen në tarifën e regjistrimitt, ndërsa në konviktet e Qytet Studentit larja e rrobave bëhet për 1.2 euro larja.
- Studentët që jetojnë në konviktet në Kosovë kanë mundësi të shfrytëzojnë terrenet sportive pranë godinave të tyre, ndërsa në Shqipëri ky shërbim nuk ofrohet.
Sa i përket përzgjedhjes së studentëve për të jetuar në konvikte, në Kosovë kriteret dhe pikët e pranimit, si dhe regjistrimi më tej bëhen online dhe duke respektuar kalimin përmes një bordi përzgjedhës. Ndërsa në Shqipëri, regjistrimi kryhet nga kujdestarët pa pasur nevojë për konkurs, dhe gjithë procedura e regjistrimit duhet të kryhet duke qenë i pranishëm fizikisht.