TIRANË– Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka dhënë urdhërin për shtyrjen e datës së zgjedhjeve në Universitetet e vendit.
Shahini ka lëshuar një urdhër me disa pika, ku pavarësisht anulimit i kërkon organeve drejtuese që të vijojnë punën me përgatitjet.
“Shtyrjen e datës së zgjedhjeve për autoritetet në një datë tjetër. Organet drejtuese të institucionave publike të vijojnë me përgatitjen e zgjedhjeve me qëllim zhvillimin e tyr të menjëhershëm.Gjithashtu organet të ndjekin procesin e garantimit të integritetit akademik të të gjithë kandidatëve,”-shkruhet në udhërin e lëshuar nga ministrja.
Ndërkohë paraditen e sotme, Organizata Qëndresa Qytetare dhe disa studentë kanë paditur në Gjykatën Administrative ministren e Arsimit, Besa Shahini. Në padinë e dorëzuar ditën e sotme, ata kërkojnë anulimin e zgjedhjeve të 12 qershorit në Universitete pasi studentët nuk do të kenë mundësi të marrin pjesë për shkak të masave të koronavirusit.
Prej ditësh në vend ka nisur një debat për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve në Universtitetin e Tiranës. Ministria e Arsimit dhe Rektorati nisën punën dhe kërkojnë që zgjedhjet të mbahen në 12. Ndërkohë grupime të ndryshme studentësh e kanë kundërshtuar. Ata kanë kërkuar që zgjedhjet të mos mbahen tani në qershor, pasi rrezikohet jeta e tyre por dhe procesi nuk mund të jetë i rregull. Me anë të kërkesave ata janë shprehur se zgjedhjet duhet të zhvillohen pasi të përfundojë pandemia.
Nga ana tjetër gjithashtu Rektori i UT, Mynyr Koni ka kërkuar anulimin e zgjedhjet dhe ka shkarkuar pedagogët që janë në Komisionin Institucional të zgjedhjeve me motivacionin se kishin shkelur rregullat, pasi nisën procedurën për hapjen e garës për Rektor.