Në vijim të nismës për parandalimin e zgjedhjeve pa studentë qe pritet te mbahen më 12 qershor në universitetet e vendit, Qëndresa Qytetare dhe studentët depozituan sot në Gjykatën Administrative një akt-padi për rrëzimin e Urdhrit të Ministres për zhvillimin e zgjedhjeve në universitete.
Në padinë e ngritur nga Studentët dhe Qëndresa ndaj Ministres së Arsimit dhe Universitetit të Tiranës kërkohet pavlefshmëria absolute e Urdhërit Nr. 99, datë 26.03.2020 të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Vendimit Nr. 2, datë 30.04.2020 të Komisionit Institucional të Zgjedhjeve pranë Universitetit të Tiranës. Marash Logu, iniciator i nismës dhe student i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës u shpreh se përveç padisë mbi pavlefshmërinë e akteve që lejojnë zgjedhjet në 12 qershor kemi kërkuar nga Gjyakta e Tiranës sigurimin e padisë që mundëson edhe pezullimin procesit zgjedhor në universitete deri ne përfundim të gjykimit të çështjes.
Studentët jane studiues por edhe njohes të ligjit dhe nuk pranojnë padrejtësinë duke kontribuar për një universitet më cilësor, për një universitet europian, përfundoi student Logu.
Drejtori Ekzekutiv i Qëndresës Qytetare Rigels Xhemollari u shpreh se studentëve po u mohoet e drejta e votës pikërisht javën e Europës. Fatkeqësisht studentët po përballen me universitete bunker të cilat organizojnë zgjedhje pa votues në favor të drejtuesve që nxitojnë për karigen por jo për kërkimin shkencor dhe cilësinë në universitete. Nga ana tjeter studentet përballen me Ministrinë që i përjashtojn nga e drejta e tyre për të votuar me akte ligjore. Ky akt i sotëm është vijimësi e rrugës drejt forcimit të rolit të studentëve në universitete dhe në shoqëri.
Studentja Anila Salianji pjese e grupit të studenteve që paditën Ministrinë e Arsimit shprehet “jemi sot këtu që institucionalisht ti bëjmë qëndresë zgjedhjeve pa garë dhe pa zgjedhës. Synimi ynë është jo vetëm të shtyhen këto zgjedhje por edhe te fitojmë kohë për advokimin e rritjes së peshës së votës që meritojmë të kemi ne si studentë për përzgjedhjen e strukturave drejtuese. Mbi 60% e studentëve nuk mund të marrin pjesë në këto zgjedhje pasi vetë Ministria i ka larguar ata me Urdhër deri në korrik përfundoi studentja Salianji.