Qëndresa Qytetare publikon të dhënat mbi mësimin online: 40.9% e studentëve nuk kanë pasur akses të vazhdueshëm në internet gjatë izolimit nga Covid 19.
QQ: Vetëm 17% e studentëve që banojnë me qera kanë arritur një marrëveshje me qiradhënësin, 83% kanë paguar qiranë normalisht ose janë në dilemë si do veprojnë.
QQ: 6 nga 9 universitetet e vlerësuara rezultojnë ngelëse në qasjen ndaj mësimit online. Në vend të parë renditet UBT me notën “6” dhe në vend të fundit Universiteti i Elbasnit me notën “1”.
QQ: Vetëm 0.6% e studentëve kanë shfrytëzuar Bibliotekën Dixhitale www.ulibrary.rash.al e cila kushtoi 700.000$ për të siguruar literaturën e mësimit online, ndërsa 99.4% e tyre e kanë siguruar literaturën nëpërmjet burimeve të tjera.
Qëndresa Qytetare publikoi sot rezultatet e vlerësimit të masave qeveritare dhe mësimit online nga studentët e 9 universiteteve publike gjatë periudhës së izolimit nga Covid 19. Nga pyetësori i zhvilluar me 720 studentë vihet re se 40.9% e tyre nuk kanë pasur akses të vazhdueshëm në internet gjatë izolimit nga Covid 19. 60% e studentëve që nuk kanë pasur internet theksojnë se arsyet kanë qënë ekonomike, ndërsa 40% e tyre shprehen se kanë pasur problem teknike për shkak të mungesës së mbulimit të zonës me internet.
Akti normativ i qeverisë për shtyrjen e qirave u ka ardhur në ndihmë vetëm 17% të studentëve të cilët kanë arritur një marrëveshje me qiradhënësin ndërsa 83% e studentëve kanë paguar normalisht qiranë ose nuk e dinë se çfarë do ndodhë me këtë pagesë në vijim.
Studentët kanë vlerësuar efektivitetin dhe metodologjinë e mësimit ku vetëm 3 universitete kalojnë provimin e mësimit online. 6 prej tyre rezultojnë ngelëse në qasjen në kohë dhe cilësi ndaj mësimit online. Në vend të parë renditet Universiteti Bujqësor i Tiranës me notën “6” dhe në vend të fundit Universiteti “Aleksandër Xhuvani” Elbasan me notën “1”.
Sipas sondazhit vetëm 0.6% e studentëve kanë shfrytëzuar Bibliotekën Dixhitale www.ulibrary.rash.al e cila kushtoi 700.000$ për të siguruar literaturën e mësimit online, ndërsa 99.4% e tyre e kanë siguruar literaturën nëpërmjet leksioneve të dërguara më e-mail nga pedagogët, librave të skanuar dhe blerjes së librave në librari.
Vështirësitë e studenteve dhe procesi i mësimit online do të mund të përballohej më lehtë dhe do të kishte një performancë më të lartë nëse,
Qeveria do të:
- ribursojë qiranë e studentëve nëpërmjet akordimit të një bonus qiraje 100 euro në muaj
- sigurojë marrëveshje dhe fond specifik për qasjen në internet të të gjithë nxënësve dhe studentëve nëpërmjet marrëveshjes me operatorët privatë.
61 Bashkite dhe Këshillat Bashkiake do të:
- anulojnë tarifat e paguara nga studentët që banojnë në konvikte
- marrin masa për të shtrirë mbulimin me valë interneti në të gjithë territorin e vendit.
Universitetet publike do të:
- hartojnë planet e emergjencës për të shndërruar në një kohë më të shkurtër mësimin nga online në fizik.
- përgatisin udhëzues mbi metodologjinë e vlerësimit të studentëve online përpara se të fillojë sezoni i provimeve.
- përgatisin module të posaçme për sistemet e mbikqyrjes së mësimit online.
Minsitria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë duhet
- të bëjë ndryshimet e nevojshme ligjore për të parashikuar dhe njohur mësimin online si pjesë e formave të mësimdhënies në ligjin 80/2015.